Rëndohet pozita e Jorgo Goros. SPAK ka kaluar dosjen e dytë për gjykim në ngarkim të tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë e kryer në bashkëpunim. Ai u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.
Të pandehur në këtë dosje janë marrë dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë. Dy sipërfaqet e tokës të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato” rezultojnë me një vlerë financiare prej 1 milion euro.
Një muaj më parë, Gjykata e Posaçme dënoi me 3 vite e 1 muaj burg dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite, Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e akuzuar për shpërdorim detyre në dy episode dhe mos deklarim pasurie, teksa konfiskoi edhe mbi 10 mijë m2 tokë që përfitoi Artan Gaçi ku do të ndërtonte me statusin e investitorit strategjik.