Fushata dhe premtimet vazhdojnë drejt zgjedhjeve të 11 Majit. Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Rama theksoi se me “IA” po kryhet përkthimi i legjislaturës së BE-së, 25 mijë faqe, proces që mbyllet në 2027.
“Fati e desh që një ndër krijuesit e Open AI të ishte shqiptare, Mira Murati me të cilën jemi lidhur qysh në javën e parë kur doli Chat GPT. Falë bashkëpunimit me Mirën. Negociatat me BE bëhen me IA. Vendi i parë që përdor IA për negociatat me BE. Transferimi i gjithë trupit ligjor të BE-së, mbi çerek milioni faqe kryhet me një shpejtësi marramendëse”.
Gjithashtu kryeministri njoftoi se po punohet për kartën elektronike të identitetit. “Jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit, që BE do të fusë në funksion nuk e ka akoma, por parametrat janë të njohura.
Për informacionin e të gjithëve, besoj e mbani mend që jemi sulmuar nga Irani, në një përpjekje për të fshirë atë që kemi ndërtuar në 10 vite dhe kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një hacker i lehtë, por nga fuqitë më të mëdha të terrorit digjital.
E kemi zbrapsur sulmin pa dëme të mëdha. Dhe vitin e kaluar kemi pasur 44 sulme serioze, dhe në 2023 kemi pasur 63 sulme serioze, askush nuk di asgjë për to” tha ai.