Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka zhvilluar një takim sot me profesionistët e lirë në Tiranë.
Tabaku u shpreh se fokusi i Shqipërisë Madhështore është mbështetja e profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme. Ajo theksoi se profesionistët e lirë duhet që të kenë të njëjtin regjim taksash sa ka edhe biznesi i vogël.
“Rishikimi tërësor i paketës fiskale, rishikimi tërësor i paketës për klimën e biznesit, rishikimi tërësor i procedurave tatimore me vendosjen dhe vlerësimin e inspektimeve vetëm në ato raste kur ka një rrezik shumë të lartë. Për mua është shumë e rendësishme heqja e barrës së shtetit nga shpina e sipërmarrjes. Ju të gjithë jenu njerëz që i paguani rregullisht taksat, jeni të gjithë njerëz që doni të punoni sigurisht brenda ligjeve, jeni të gjithë njerëz që e rrespektoni edhe shtetin, por keni nevojë vetëm që t’ju lënë rehat të punoni. Besoj që ky është një parim shumë i rëndësishëm që vendoset me kodin, vendoset me propozimin për një sistem të ri fiskal, por që vendoset edhe për profesionistët e lirë. Përsa i përket profesionistëve të lirë, unë mendoj që ato duhen trajtuar me të njëjtin regjim që trajtohet edhe biznesi i vogël. Nuk duhet të ketë asnjë ndryshim për kategori biznesi. Nuk ka pse një lloj punë të taksohet më shumë dhe një punë tjetër të taksohet më pak, një xhiro biznesi të taksohet më shumë, një xhiro biznesi taksohet më pak. Përsa kohë një biznes i vogël ka një regjim teksash, të njëjtin regjim taksash duhet ta kenë edhe profesionistët e lirë”, tha Tabaku.