Zv/ kryeministrja Donika Gërvalla ka njoftuar se ka marrë vendim që biznesmenit Shkëlqim Devolli t’i përfundojë mandati si Konsull Nderi i Kosovës në Mal të Zi. Vendimi është marrë, siç ka shkruar Gërvalla, si pasojë e dokumenteve të Devollit ku Peja figuron si qytet në Serbi.
“Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës së Kosovës. Asnjëherë ‘Peë, Serbia’ por Pejë, Republika e Kosovës. Dje ka marrë fund mandati i z. Shkelqim Devolli si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës.
Ky vendim i marrë në momentin që jam informuar për këtë rast është i pakthyeshëm. Qëllimi është i qartë, mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj.
Individët që marrin tituj nderi me dokumente ku mohohet Republika e Kosovës, mohojnë gjakun e derdhur për liri, mohojnë ekzistencën tonë, mohojnë Republikën tonë.
Po flasim për të njëjtët që, ndërsa përfitojnë nga Kosova, regjistrojnë biznese me adresa serbe, përhapin propagandë kundër udhëheqjes shtetërore dhe investojnë miliona për të njollosur imazhin e Kosovës në opinionin publik”, shkroi ajo krahas vendimit.