Deputetët e rinj e dhanë betimin për legjislaturën e nëntë për Kuvendin e Kosovës, duke u dakorduar njëzëri që të kalojë raporti për verifikimin e mandateve dhe në këtë mënyrë i dhanë fund ngërçit të shkaktuar gjatë katër ditëve të kaluara. Votimi i raportit të verifikimit të mandateve, sipas partive të deritashme opozitare, u mundësua pasi kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij paraqitën dorëheqje te kryesuesi i seancës, ndonëse këta të fundit thonin, se ata janë të dorëhequr që nga data 27 mars, por ushtronin postet ekzekutive duke kryer detyra qeveritare.
Por, që në përpjekjen për pikën tjetër të rendit të ditës në seancë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), propozoi kandidaten e vet për kryetare kuvendi, deputeten Albulena Haxhiu, por ajo nuk kaloi, mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e kuvendit.
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, partisë fituese, në këtë rast Vetëvendosjes, i takon ta propozojë kryetarin e kuvendit. Tash për tash situata mbetet e paqartë sesi do të procedohet më tutje, por përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje përmendin edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në rast se deputetët nuk e votojnë kandidatin e tyre për kryetar kuvendi.
Partitë politike të opozitës aktuale vazhdojnë të këmbëngulin se Kurti me ministrat e tij ka shkelur ligjin për qeverinë, sepse që nga data 27 mars, kur është certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 09 shkurtit, ata kanë vazhduar të jenë në qeveri.
BE: Thelbësore të formohet sa më shpejt qeveria e re
Shefja e re e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj do të bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të qeverisë që janë zgjedhur deputetë dhe të cilët bënë sot betimin, për ushtrim të funksioneve ekzekutive. Ajo tha se neni 70 i Kushtetutës thotë qartë, se “mandati i deputetit nis me datën e certifikimit të rezultateve”.
Moszgjedhja e kryetarit të kuvendit, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dëshmoi se “Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën parlamentare”. Seanca konstituive të Kuvendit të Kosovës vazhdon ditën e hënë (21.04.2025).
Bashkimi Evropian, përmes zyrës në Prishtinë, ndërkaq tha se është thelbësore për Kosovën që ta formojë sa më shpejt qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
“Formimi i shpejtë i qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë.
Si parashihen procedurat për formimin e institucioneve të reja?
Kryetari dhe nënkryetarët e kuvendit zgjidhen me shumicë të votave dhe seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre. Me konstituimin e kuvendit hapet rruga për formimin e qeverisë së re. Pas konstituimit të kuvendit dhe kryesisë, presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, ka detyrim të emërojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëset e siguruara në zgjedhje, duhet patjetër që të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë.
Nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e detyruar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin. Mandatari i ri më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Por, nëse qeveria nuk formohet as pas përpjekjs së dytë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë. /DW