Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një postim në rrjete sociale shprehet se ndihet krenar që në kohën që ishte kryeministër ka realizuar superstradën Lezhë-Shkodër. Meta thotë se infrastruktura rrugore ishte e realizuar tërësisht nga buxheti i shtetit.
Sipas tij këto 12 vite kanë qenë të mjerueshme dhe kohë e humbur për shqiptarët. Meta bën thirrje që me 11 maj të votojnë për numrin 1 për koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, si dhe Ilir Metajn në qarkun Tiranë.
“Për Veriun e vendit, jo vetëm po ndërtohej një rrugë e re, por gjithashtu po lindte një shpresë e re. Shqipëria do të lidhej shumë më mirë me Europën dhe turizmi do të merrte një dimension të ri. Dukeshin sfida të pamundura, por ato u bënë realitet dhe provuan se me vizion, përgjegjshmëri të lartë dhe me atdhetarizëm, çdo gjë mund të realizohet.
Mjerisht, këto 12 vjet janë një kohë e humbur dhe shumë shanse të humbura për shkak të një qeverisje që e urren Veriun e vendit.
Pas fitores së 11 Majit, Veriu do të bëhet Madhështor dhe eksperienca, vendosmëria e patriotizmi yne tashmë i provuar, do ta bëjë realitet këtë.”, shprehet Meta.