Sot do të vazhdojë seanca e shtatë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit për media, seanca do të mbahet nga ora 10:00 në Sallën Plenare.
Të Premten për herë të gjashtë nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari, më 16 Prill, u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime lidhur me situatën në Kuvend, kurdo që ata e shohin të nevojshme.
Ngërçi institucional që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, pas dështimit për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij, ka nxjerrë në pah mangësitë ligjore dhe kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje një situate të tillë.
Kriza politike shihet me shqetësim edhe nga sipërmarrësit, të cilët thonë se Kosova është në prag të humbjes së mbështetjes financiare nga Plani i Rritjes së Komisionit Evropian, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale në vend./ Klan Kosova