Takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përfunduar. Krasniqi në një deklaratë për mediat ka folur rreth takimit që zhvilloi me Kurtin.
“Kemi shkëmbyer ide dhe diskutime sa i përket konstitutimit të Kuvendit. Qëndrimet e Partisë Demokratike dhe të mijat janë ato që i dini”, ka thënë Krasniqi.
“Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë z. Kurti përsëri”, është shprehur ai.
“Për PDK-në është me rëndësi të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera” për kryetar të Kuvendit.
“Ne nuk kemi pasur qëndrim mohues apo bllokues. Nuk na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se partia e tij është e gatshme të votojë “një figurë që mund të jetë e pranueshme”.
“Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen me diskutimin për kryetar”, ka theksuar ai.