Policia e Shtetit njoftoi se pasditen e sotme u ekstradua nga Dubai i shumëkërkuari nga autoritetet shqiptare, Florenc Çapja.
“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Në kuadër të këtij operacioni finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit Florenc Çapja 44 vjeç, banues në Elbasan”, njofton policia.
Çapja ka një dënim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në 2012. Ai u largua nga Shqipëria sapo la qelinë në 2019 kur gjykata e pushoi çështjen për atentatin ndaj ish-efektivit Fadil Mema.