Pasditen e sotme në Gjadër erdhi një tjetër anije me emigrantë. Por si janë kushtet aty? Cfarë po ndodh me ata që janë brenda dhe cili është fati i tyre?
“Il Post” i ka kushtuar një artikull duke evidentuar problemet e mëdha. Dy persona që vizituan Gjadrin disa ditë më parë pas transferimit të emigrantëve, Cecilia Strada, një anëtare e Parlamentit Europian për Partinë Demokratike, e cila e ka ndjekur nga afër çështjen për njëfarë kohe dhe avokatja Anna Pellegrino e Shoqatës për Studime Ligjore mbi Imigracionin (ASGI) tregojnë problemet themelore duke e krahasuar më keq se një burg.
“Po flasim për një person që humbi dokumentet për të qëndruar në vend pasi u detyrua të punonte ilegalisht nga punëdhënësi i tij, duke u bërë kështu zyrtarisht një emigrant i parregullt”, – thotë Strada.
“Emigrantët në qendër të Gjadrit jetojnë në një harresë. Je plotësisht i shkëputur nga bota, i shkëputur nga konteksti. Nuk e di sa është ora, sa kohë ka kaluar dhe as nuk e di sa gjatë do të qëndrosh atje, ndryshe nga ajo që ndodh në një burg, ku vuan një dënim të përcaktuar”, – thotë Strada, e cila shton se disa prej njerëzve në Gjadër as nuk u ishte thënë se ku po shkonin, kur u morën nga qendrat e kujdesit shëndetësor ose nga burgjet italiane.
“Ajo që e bën CPR-në shqiptare një vend veçanërisht të vështirë është izolimi i saj, i cili është më i madh dhe i ndryshëm nga ai i një CPR-je italiane. Në disa prej tyre mund të mbash një celular me vete, për të lundruar në internet ose për të telefonuar anëtarët e familjes, për të marrë pako me rroba ose ushqime, ose për vizita nga avokati.
Në atë në Gjadër nuk është e mundur të përdorësh një celular, të marrësh pako dhe takimet me avokatët, të cilët janë italianë, janë më sporadike sepse qendra ndodhet në një vend tjetër.
Për më tepër, ende nuk është aktivizuar një llogari rrjedhëse për të marrë para dhe për të blerë ushqime ose cigare shtesë, siç bëhet në një burg. Nuk ka dhoma të përbashkëta” shkruan media.