Kandidati i Partisë Socialiste në Vlorë, Pirro Vengu, gjatë një takimi me komunitetin korçar të zonës, u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin skuadrën socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në zgjedhjet e 11 majit.
“Ju kërkoj ta mbështesni këtë skuadër, ta mbështesni Edi Ramën, ta mbështesni numrin 5 edhe për këtë mandat, sepse është një mandat që ka potencialin ta mbyllë tranzicionin,” u shpreh Vengu.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një sfidë gjeneratash, që do të ketë ndikim te fëmijët dhe e ardhmja e tyre. Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Vengu tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian lidhet drejtpërdrejt me ekonominë e brezave të ardhshëm.
“Kur kryeministri përmend çështjen e Bashkimit Europian, mos e harroni asnjëherë, ka të bëjë me ekonominë e fëmijëve tanë, sepse futemi në shtëpinë më të kamur të planetit dhe kemi atë mburojën ndaj shumë problematikave që nuk i përballojmë dot vetëm,” tha ai.
Ai theksoi se kjo mundësi nuk duhet humbur dhe u bëri apel qytetarëve që të mos bien pre e idesë se fitorja është e sigurt. “Shpesh herë dëgjoj: e keni të fituar, e keni të fituar. Nuk e kemi të fituar. Pse e kemi të fituar?”, tha Vengu, duke theksuar rëndësinë e çdo vote më 11 maj.