Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas shoqërimit nga policia të kandidatit të PD në Fier, Fatjon Semanjaku, duke e cilësuar ngjarjen si një shkelje të rëndë të procesit zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi policinë e shtetit dhe kryebashkiakun socialist të Fierit, Armando Subashi, për pengimin e qëllimshëm të opozitës gjatë fushatës elektorale.
“Kandidati Semanjaku u pengua nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të bashkisë së Fierit, Armando Subashi, që të ushtrojë fushatën. Më pas, ai u shoqërua me dhunë në polici. Ky është një akt i pashembullt që tregon se shteti është shkrirë me partinë,” tha Bardhi.
Ai shtoi se qëllimi i këtij veprimi është intimidimi i kandidatëve të opozitës në javën e fundit të fushatës zgjedhore, ndërsa paralajmëroi drejtuesit e policisë në Fier për përfshirje në veprimtari të paligjshme politike. Bardhi theksoi se ka të dhëna që vërtetojnë se drejtues të policisë në Fier janë angazhuar në fushatën zgjedhore për llogari të një krimineleje dhe të korruptuar si Belinda Balluku.