Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në Lezhë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku theksoi arritjet e qeverisë dhe mbështetjen që, sipas tij, qytetarët i japin Partisë Socialiste falë rezultateve konkrete.
“PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) është rritur dy herë e gjysmë gjatë tre mandateve tona. Kjo është arsyeja pse populli na mbështet, pavarësisht se çfarë thonë kundërshtarët tanë,” u shpreh Rama.
Sipas tij, zhvillimi ekonomik është i dukshëm jo vetëm në statistika, por edhe në xhepat e qytetarëve dhe në performancën e bizneseve shqiptare. Ai hodhi poshtë kritikët që, sipas tij, kërkojnë të kthejnë vendin pas.
“Nëse Shqipëria do të ishte aty ku e gjetëm, dhe jo aty ku e kemi çuar sot, askush nuk do të na ndiqte. Populli e di se çdo ndryshim për mirë ka ardhur nga ne,” vijoi ai.
Rama u ndal edhe te kritikat që vijnë nga opozita, të cilët i konsideroi si “ata që dikur donin ta digjnin vendin”. Ai theksoi se mospranimi i realitetit është forma më e rëndë e verbërisë politike.
“Kur dikush ka sytë dhe nuk do të shohë, është më i verbër se ai që nuk i ka fare. Kur dikush ka veshë dhe dëgjon vetëm këngën e bufit, është më shurdh se vetë shurdhi,” u shpreh Rama, duke ironizuar kundërshtarët politikë.