Ditën e sotme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda së bashku me drejtorin e Drejtorisë Vendore të policisë Tiranë, Elton Alushi ka takuar familjarët e punonjësit të policisë që u aksidentua dje në Peshkopi.
Polici me iniciale V.Gj., 64 vjeç teksa ishte në shërbim në Peshkopi u aksidentua nga një automjet në dhe si pasojë ai është në reaminacion në gjendje kritike për jetën.
Proda i ka shprehur mbështetje familjarëve të policit dhe i ka siguruar se stafi mjekësor po bën gjithçka për ta mbajtur atë në jetë.
“Që prej mbrëmjes së djeshme jam në kontakt me drejtuesit e Spitalit të Traumës dhe me mjekët që po ndjekin ecurinë e kolegut tonë. Dua t’ju siguroj se ka një impenjim të jashtëzakonshëm për ta mbajtur në jetë pacientin pasi dëmtimet janë shumë serioze dhe në rast se do vendosin mjekët për ta dërguar jashtë shtetit, pa diskutim që kjo do të mundësohet. Kemi një mision sa fisnik po aq dhe të vështirë, sakrifikues, deri në sublim, por këtë rrugë kemi zgjedhur, që t’i shërbejmë qytetarëve me përkushtim, ndershmëri dhe sakrifica. I uroj kolegut tonë dhe familjarit tuaj, shërim sa më të shpejtë”, tha Proda.
Gjithashtu ai ka takuar edhe zv.drejtoreshën e SUT dhe stafin mjekësor të cilët e informuar për gjendjen e policisë dhe angazhimin e mjekëve për ta mbajtur atë në jetë.