Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste, duke akuzuar disa prej tyre për përfshirje në abuzime me fondet publike dhe për shkelje të procesit zgjedhor. Gjatë një deklarate publike, ajo hodhi akuza direkte ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe përmendi emra të tjerë nga kabineti qeveritar dhe listat e PS-së, që sipas saj, përfaqësojnë jo interesat qytetare, por ato të oligarkëve.
“Edi Rama është koka e grupit kriminal, sepse ka dhënë lejen dhe ‘OK’ për inceneratorët fantazmë,” deklaroi Vokshi. Më tej, ajo u shpreh se “Belinda Balluku ka abuzuar me shuma marramendëse”, duke shtuar se figura të tjera si Ogerta Manastirliu dhe Olta Xhaçka “duhet të ishin para drejtësisë”.
Vokshi akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorim elektoral të fondeve shtetërore, duke përmendur praktika si asfaltimi i rrugëve në prag të zgjedhjeve. “Në Tiranë po hidhet asfalt elektoral dhe kjo është shkelje,” tha ajo. Sa i përket kritikave të drejtuara nga socialistët ndaj PD-së, Vokshi u shpreh: “Zonja Felaj flet për probleme në PD, ndërsa duhet të thotë përse familjarët e saj të gjithë janë të punësuar në Prokurori.”