Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përmbyllur fushatën elektorale në Lezhë me një mesazh të fortë për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e datës 11 maj për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi këtë datë si një mundësi historike për të ndryshuar fatin e vendit dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët të mobilizohen për të sjellë ndryshimin që ka nevojë Shqipëria.
Berisha ka theksuar se 11 maji është dita e përcaktimit të fatit të Shqipërisë, duke bërë thirrje për një mobilizim të fuqishëm. Ai ka deklaruar:
“Këto 100 ditë janë jetike, por më jetike se çdo gjë është 11 maji. Ua them unë ju, me 11 maj asnjëri prej nesh nuk ka pasur votë më të rëndësishme për fatin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve. Ne po ecim drejt humnerës, pa të rinj. Një komb pa të rinj nuk ka të ardhme.”
Ai ka theksuar gjithashtu se është koha për një “besëlidhje” për të shpëtuar Shqipërinë, duke bërë thirrje që qytetarët të mos pranojnë këtë të keqe të madhe, të cilën ai e sheh si pasojë e udhëheqjes aktuale. Sipas Berishës, është e domosdoshme që Shqipëria të ndryshojë dhe ai kërkoi mbështetje për Partinë Demokratike në këtë drejtim:
“Më 11 maj, votoni për historinë, për ndryshimin. Keni respektin dhe mbrojtjen tonë. Patronazhistët do të marrin fundin e tyre. Patronazhistët nuk e ngatërrojmë kurrë me ju burra dhe gra të ndershëm që u shërbeni qytetarëve shqiptarë.”
Në përfundim, Berisha tha se nuk ka forcë në botë që ta mbajë Edi Ramën në pushtet, dhe bëri thirrje për mobilizimin masiv të qytetarëve:
“Forcë në botë që ta mbajë Edi Ramën në pushtet nuk ka. Ju ftoj qytetarë të votoni ndryshimin.”









