Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, mbylli fushatën elektorale në Lezhë, duke e konsideruar këtë qytet si një simbol të besës dhe bashkimit. Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi qytetarët e Lezhës për mbështetjen dhe u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen më 11 maj për të ndëshkuar qeverisjen e Edi Ramës dhe për të sjellë një transformim të Shqipërisë.
Berisha e cilësoi fitoren e PD-së si një mundësi për të sjellë ndryshimin dhe për të larguar “mjerimin dhe skamjen” që, sipas tij, ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës. Ai tha: “Në 100 ditë çdo pensionistë që merr nën 172 mijë lekë, do marrë secili jo më pak se 200 euro. Në 100 ditë çdo qytetar i Lezhës dhe Shqipërisë nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro. Çdo pensionistë do ketë kartën e konsumatorit.”
Berisha e cilësoi 11 majin si “orën e të vërtetës për shqiptarët” dhe theksoi se ky është një moment që do të ndëshkojë qeverinë e Ramës. Ai gjithashtu nënvizoi se “Shqipëria do të ketë listën e barnave të rimbursuara që ka Republika Italiane.” Në fund të fjalës, ai u shpreh: “Lezha, më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytet. Simbolizon bashkimin.”
Berisha përmendi gjithashtu se e ardhmja e Shqipërisë do të ndryshojë, duke i dhënë një shpresë të re qytetarëve: “Në 100 ditë të përzëmë mjerimin dhe skamjen.”