Deputetja e Partisë Socialiste dhe kandidate për zgjedhjet e ardhshme Ermonela Felaj, ka komentuar mbi dinamiken e fushatës zgjedhore, duke theksuar se puna në këtë periudhë ka qenë shumë intensive, me fokus në takime dhe përgatitje për mbylljen e saj.
“Ajo që e ka bërë këtë fushatë të veçantë është se ka pasur një formula të ndryshme dhe ka pasur më shumë konkurencë në terren,” tha Felaj duke shtuar se secili kandidat duhet të punojë për të siguruar një mandat personal përveç kontributit të tij në forcimin e Partisë Socialiste.
Gjithashtu ajo u shpreh se fitorja nuk është vetëm një rezultat i arritjes, por kërkon përkushtim dhe kujdes për ta mbajtur atë.
“Fitorja jo vetëm duhet të arrihet, por edhe të mbahet,” nënvizoi Felaj.
Duke folur për strategjinë e saj gjatë kësaj fushate Felaj theksoi se nuk është orientuar nga paragjykimet për ata që mbështesin apo nuk mbështesin Partinë Socialiste, por ka pasur një qasje të hapur duke synuar të jetë zëri i qytetarëve.