Pas akuzave në media dhe nga opozita, Drejtoria Vendore e Policisë deklaron se ka përfunduar verifikimet mbi akuzat për blerje votash ndaj kandidatit të PS-së, Arian Jaupllari dhe ka konkluduar se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime për blerje votash.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.
Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.
Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.
Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.
Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese” njofton policia.