Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pritur 19 delegacione ndërkombëtare nga Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Pjesëmarrësit ishin përfaqësues nga Armenia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Kroacia, Kosova, Lituania, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Finlanda, Suedia, Turqia dhe Organizata Botërore e Trupave Zgjedhore.
Gjatë takimeve, KQZ prezantoi përgatitjet e procesit zgjedhor, funksionimin e komisioneve zgjedhore dhe masat për garantimin e transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve, përfshirë bashkëpunimin me SPAK dhe Prokurorinë për parandalimin e krimeve zgjedhore. Po ashtu, delegacionet u njohën me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, si identifikimi elektronik i zgjedhësve dhe votimi elektronik.
Programi i vëzhguesve ndërkombëtarë ka për qëllim të shfaqë eksperiencën shqiptare në administrimin e proceseve zgjedhore dhe risitë që janë implementuar, si dhe do të vazhdojë gjatë ditës së zgjedhjeve për të monitoruar nga afër procesin. Delegacionet gjithashtu do të kenë mundësinë të vizitojnë disa prej pikave turistike dhe kulturore të Shqipërisë.