Kristjan Asllani pritet të largohet nga Interi gjatë merkatos së verës, sipas raportimeve të fundit nga “Corriere dello Sport”. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare duket se ka vendosur të kërkojë një tjetër rrugë në karrierë, pas një sezoni me hapësira të kufizuara në fushë.
Edhe pse është i lidhur me një kontratë deri në vitin 2029, 23-vjeçari duket se nuk është i kënaqur me rolin e tij aktual në skuadër. Ky vendim vjen në një moment kur Interi ndodhet në një fazë vendimtare të sezonit, duke garuar për titullin kampion në Serie A dhe për trofeun e Ligës së Kampionëve.
Asllani iu bashkua zikaltërve dy vite më parë nga Empoli, pas një transferimi me vlerë rreth 15 milionë euro. Fillimisht u pa si një investim premtues për të ardhmen, por mungesa e vazhdimësisë në formacionin titullar ka ndikuar në vendimin për t’u larguar.
E ardhmja e tij mbetet për t’u parë, ndërsa pritet interes nga klube të tjera të Serie A dhe jo vetëm.