Skuadra e Leçes do të përballet me një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit këtë fundjavë, kur të ndeshen me Veronën në transfertë. Pas humbjes së fundit në shtëpi ndaj Napolit, ku ishin të mundur 2-0, ekipi italian, që përfshin edhe Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, është në një pozicion të vështirë, duke u renditur vetëm një pikë larg zonës që çon në rënien nga kategoria.
Ky takim është jetik për Leçen pasi Verona, që ndodhet pesë pikë më lart është një rivale direkte për mbijetesë. Në sfidën e fundit Medon Berisha luajti vetëm në pjesën e dytë, ndërsa Ylber Ramadani e ndoqi ndeshjen nga stoli. Pritet që në këtë takim, Berisha të jetë titullar në mesfushë, ndërsa Ramadani do të jetë në pankinë.
Pas përballjes me Veronën, Leçe ka dy sfida të tjera shumë të vështira: pritjen e Torinos dhe një udhëtim në Romë për t’u përballur me Lacion e Elseid Hysajt. Nëse Leçe do të arrijë të fitojë në Verona, mund të rigjejë shpresën për mbijetesë në Serie A.
/5pyetjet.al