Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun Fier Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj akuzave të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke mohuar largimin e komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ai e akuzoi Ballukun për tentativë të dekurajimit të votuesve me akuza të rreme ndaj PD-së.
“Përmes zëdhënëses së organizatës kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’, Belinda Balluku po tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme për Partinë Demokratike. Nuk ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ka mbrojtje të procesit zgjedhor nga votimi i patronazhistëve në emër të votuesve të tjerë,” tha Bardhi.
Ai denoncoi gjithashtu një incident në një qendër votimi, ku një patronazhisti i PS-së kishte votuar për një tjetër person dhe ishte larguar pas veprimit. Bardhi theksoi se procesi vazhdon normalisht pas ndërhyrjes nga KZAZ dhe përfaqësuesit e dy partive.
“Patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar. Aktualisht, procesi vijon normalisht, pasi është njoftuar KZAZ dhe anëtarë të të dyja forcave politike kanë verifikuar situatën,” tha ai.
Bardhi gjithashtu ngriti shqetësime për shkelje të ligjit nga vëzhguesit e PS, të cilët po mbledhin të dhëna të qytetarëve në një format të përgatitur nga PS, një veprim që ai e cilëson të paligjshëm.
“Është e paligjshme që persona të paautorizuar, punonjës të administratës, persona të armatosur, të qëndrojnë brenda, në derën apo afër QV,” theksoi ai.
Ai ftoi qytetarët të mos intimidohen dhe të vazhdojnë të votojnë pa frikë, duke përfunduar se “dita e sotme është për qytetarët dhe çdo votë e tyre ka vlerë.”