Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas ushtrimit të së drejtës së votës në qytetin e Lezhës, duke komentuar edhe arrestimin e bashkëshortit të deputetes Elda Hoti. Gjekmarkaj e cilësoi këtë arrestim si një “kurth të ngritur” nga organet shtetërore, të cilat, sipas tij, po targetojnë qytetarët që mbrojnë të drejtën e votës, ndërsa nuk po ndëshkojnë ata që cenojnë procesin zgjedhor dhe merren me shitblerjen e votës.
Në një deklaratë për mediat, Gjekmarkaj theksoi se Partia Demokratike po monitoron çdo rast të abuzimit zgjedhor dhe ka ndërmend t’i denoncojë ato publikisht. Ai gjithashtu bëri thirrje për një pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kyçe për Shqipërinë.
“Qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre për të ndërtuar një Shqipëri ku sundon ligji dhe jo bota e krimit. Indiferenca është armiku më i madh i demokracisë”, u shpreh Gjekmarkaj.