Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë dalë për të votuar, të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të kontribuojnë në procesin zgjedhor. Rama ndodhej në “komandën e përgjithshme”, ku po mblidheshin të dhënat e ecurisë së zgjedhjeve.
Ai theksoi se votimi është një detyrë qytetare dhe patriotike, duke shtuar se është e rëndësishme që çdo qytetar të shfrytëzojë të drejtën e tij dhe të kontribuojë në numërimin e votave. “Ja ku jemi live nga komanda e përgjithshme, këtu ku mblidhen të gjitha të dhënat e ecurisë së procesit. Përfitoj nga rasti tu them të gjithëve që nuk kanë shkuar ende të votojnë, të shkojnë të votojnë,” tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje zgjedhësve që të votojnë me qetësi, durim dhe bindje, duke theksuar se është e domosdoshme që çdo votë të mblidhet dhe të numërohet për të pasur një proces të saktë dhe të drejtë zgjedhor.