Ambasadori Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, ka dhënë një deklaratë për media nga një qendër votimi ku procesi i votimit po kryhet përmes teknologjisë elektronike. Ai bëri të ditur se misioni i OSBE ka vëzhguar të gjithë procesin zgjedhor që nga fundi i marsit, duke monitoruar fushatën zgjedhore dhe duke mbajtur një angazhim të vazhdueshëm për sigurinë dhe transparencën e këtij procesi.
“Kjo është një nga qendrat e votimit ku jemi sot. Si ODIHR kemi 240 vëzhgues, por janë edhe 134 të tjerë nga vendet anëtare të OSBE. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ne kemi qenë këtu që nga fundi i marsit. Ne kemi vëzhguar dhe fushatën zgjedhore. Sot është pika e fundit dhe nesër do të kemi një konferencë për shtyp në orën 15:00. Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik. Do të flasim për këtë nesër kur të japim vlerësimet tona nesër. Po punojmë me KQZ, deri tani është shumë transparent dhe shumë i drejtë bashkëpunimi,” tha Zannier.









