Partia Mundësia ka ngritur një shqetësim në lidhje me procesin e numërimit të votave në KZAZ nr.40 në shkollën “Sami Frashëri”.
Sipas njoftimit të Partisë Mundësia, 6 fletë të votimit po tentohen të shpallen të pavlefshme pasi kanë ngjyrë të zbehtë. Ata thonë se është njoftuar Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Situata në ambientet e KZAZ-së u përshkallëzua në momentin që Shehaj arriti dhe akuzoi policinë për përpjekje për të nxjerrë jashtë vëzhguesit e autorizuar të kësaj foce politike.
Shehaj u tha policëve: “Na tregoni urdhrin që nuk lejon vëzhguesit brenda. Vëzhguesit tanë janë të autorizuar dhe kanë të drejtën ligjore të jenë këtu”.
Ai theksoi se nuk do të lejojë vjedhjen e votave dhe nëse do të nxirren jashtë do të bëhet vetëm me forcë.“Duhet të na tërhiqni zvarrë nëse doni të na nxirrni nga këtu. Po na vidhen votat. Ne jemi vëzhgues dhe kërkojmë vetëm një të drejtë që na takon ligjërisht. Nëse shohim padrejtësi, kemi të drejtë ta sinjalizojmë. Nuk po kërkojmë asnjë privilegj, nuk po kërkojmë qiqra në hell. Kush është i paautorizuar? Ne jemi kandidatë!”, tha Shehaj.