Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan sot një Deklaratë të Përbashkët për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta. Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e eksporteve të mbrojtjes dhe industrisë përkatëse, si dhe thellimin e lidhjeve strategjike mes dy vendeve.
Nënshkrimi u realizua në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kryeministrit britanik Keir Starmer në Shqipëri, ku u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama. Pas ekzekutimit të himnit të Mbretërisë së Bashkuar dhe atij të Shqipërisë, dy liderët zhvilluan një takim zyrtar në ambientet e Kryeministrisë.
Kryeministri Rama vlerësoi vizitën si një hap të rëndësishëm për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik. Vizita e Starmer vjen një ditë para mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet më 16 maj në Tiranë.