Më 9 Maj, institucionet e Kosovës organizuan kremtime zyrtare për Ditën e Europës, duke valëvitur flamuj blu me yje të artë në sheshet e Prishtinës, ndërkohë që vetë Europa, në emër të së cilës zhvillohen këto ceremoni, vazhdon ta mbajë Kosovën nën masa politike, sanksione diplomatike dhe status të papërfunduar shtetëror.
Kështu që, në vend që të festonim bashkimin me familjen europiane, ne përkujtuam izolimin nga ajo.
Është paradoksale që Kosova feston Ditën e Europës, ndërsa Europa nuk e njeh plotësisht as si shtet, as si subjekt të barabartë politik.
Në vend të integrimit, Kosova sot është objekt i ndërmjetësimeve të pasuksesshme, të cilat më shumë i kanë thelluar tensionet sesa kanë sjellur zgjidhje. Pavarësia jonë vazhdon të mohohet nga pesë shtete të BE-së, ndërkohë që aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Europës, tashmë u dëshmua zyrtarisht se është jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave që mblidhet një herë në vit.
Nga lëshimet te dështimet që ka sjellur qeverisja kosovare që nga momenti i aplikimit e kanë futur vendin në një rrugë të shtrembër drejt anëtarësimit.
Në vend se të shënojmë progres drejt integrimit, jemi kthyer në peng të kushtëzimeve të reja, që po shtohen vazhdimisht në dëm të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Dështimi për të përfshirë anëtarësimin në agjendën e Këshillit të Europës, po ti referohemi deklaratave z. António Costas gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, vjen si pasojë e refuzimit për të dërguar draft-statutin e BE për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, për faktin se institucionet/qeveria tashmë e kanë pranuar atë si pjesë të angazhimeve në kuadër të Planit Franko-Gjerman dhe Aneksit të Ohrit.
Për më tepër, në vend që ta mbështesin presionin ndaj Serbisë për t’u rreshtuar me vlerat euro-atlantike, disa udhëheqës evropianë vazhdojnë të përçojnë sinjale të gabuara.
Pavarësisht thirrjeve nga eurodeputetë të 14 shteteve anëtare për ta anuluar vizitën në Beograd, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, zgjodhi të takohet me Vuçiqin – mikun më të ngushtë të Putinit në Ballkan. Një vizitë e tillë, e justifikuar në emër të stabilitetit, e banalizon agresionin rus dhe përçmon parimet mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian. Serbia vazhdon të luajë me dy kahe, duke pretenduar integrim evropian, ndërkohë që feston me Kremlinin dhe refuzon të shkëputet nga logjika imperialiste e dominimit rajonal.
Një tjetër precedent i rrezikshëm ishte kompromisi i vitit të kaluar, kur në këmbim të përkrahjes në Asamblenë Parlamentare të KE, Kosova pranoi të zbatojë një vendim gjyqësor të kontestuar për pronat e Manastirit të Deçanit. Ky veprim jo vetëm që nuk u shpërblye me anëtarësim, por krijoi precedent për afro 150 objekte të tjera fetare ortodokse që janë përvetësuar gjatë regjimit të Millosheviqit.
Sot, sipas deklaratës së ish-kryeministrit portugez António Costa, Kosova ka obligim ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjet e pranuara si, Planin Franko-Gjerman, Aneksin e Ohrit, draft-statutin e Asociacionit dhe zotimet për shtensionim në Veri. Në këtë mënyrë, çdo koncesion bëhet kusht për një tjetër, duke e kthyer procesin e integrimit në proces të tkurrjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Me vendimet dhe veprimet politike që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve nga kjo qeveri, po ndodh një kthim i heshtur pas, nga Republika e Pavarur te Republika e Tretë.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i mbështetur nga BE dhe fuqitë kryesore perëndimore, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një platformë të fragmentarizimit kushtetues të Kosovës. Ky asociacion, nga një strukturë e supozuar jokushtetuese, tani si “alternativë ndryshe“ vjen në formën e një draft-statuti të sponsorizuar nga BE-ja, të cilin Qeveria e Kosovës e ka pranuar me shkrim. Dërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese, si kusht për anëtarësim në KiE, është vetëm hapi i radhës drejt realizimit të një “Republike të Tretë” – një model që përkon me formulën famëkeqe të Millosheviqit: “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.
Zhvillimet e fundit në procesin e negocimit në dialog, si: heqja e “letrës së bardhë” gjatë kalimit në pikat doganore me Serbinë, heqja e detyrimit për njohje dhe ndryshime kushtetuese për Serbinë për 10 vite sipas pikës së marrëveshjes për normalizim, lëshimi i pasaportave për qytetarët kosovarë serbë nga “Zyra për Kosovën” në Beograd, tregojnë se Kosova nuk po integrohet në BE si shtet i pavarur, por po pozicionohet për një zgjidhje të përbashkët me Serbinë, në kuadër të një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse” që nuk e njeh sovranitetin real të shtetit të Kosovës.
Shkresat, pasaportat dhe dokumentet që Serbia lëshon për qytetarët serbë të Kosovës në emër të “Kosovo i Metohija”, janë dëshmi e kësaj logjike integrimi të rremë.
Krejt çka mund të evidentohen poshtë vijës së rezultatit të qeverisjes në Kosovë janë: Bllokadë politike, taktika elektorale dhe instrumentalizim ndërkombëtar.
Kjo situatë është pasojë e një politike të jashtme tërësisht të kapitulluar dhe të instrumentalizuar. Pushteti aktual në Kosovë ka ndjekur një strategji taktike për të mos e përfunduar asnjëherë procesin, duke pranuar në heshtje atë që mohon publikisht.
Pranimi i draft-statutit në tetor 2023 dhe mosdërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese është një akt i pastër hipokrizie politike, i lidhur me kalendarin elektoral në SHBA.
E vetmja shpresë është se një administratë e re mund të favorizojë një pozicion më të fortë të Kosovës.
Por realiteti është ndryshe.
Siç paralajmërohet, një administratë republikane në SHBA, e udhëhequr nga presidenti Trump, do të sjellë zgjidhje të drejtpërdrejta, pa ekuivoke dhe pa hapësirë për taktizime. Në atë kontekst, lidershipi aktual në Prishtinë, i lidhur me qarqe globaliste dhe financime ideologjike, është i papërshtatshëm për një epokë të re politike ndërkombëtare.
Prandaj është evidente nevoja për një doktrinë kombëtare dhe strategji të re shtetformuese për Kosovën.
Aktualisht, Kosova po kalon nga faza e varfërimit dhe rrënimit institucional, në fazën e zhbërjes kushtetuese. Çdo vonesë në reagim kolektiv e thellon krizën.
Integrimi nuk mund të jetë qëllim në vetvete nëse arrihet me çmimin e humbjes së sovranitetit.
Prandaj, duhet të ngremë një pyetje themelore: A do të vazhdojë Kosova të bëjë lëshime pa fund në emër të një integrimi që nuk e njeh si shtet?
A është koha për të vendosur vija të kuqe që mbrojnë integritetin territorial, sovranitetin politik dhe identitetin kushtetues?
Përgjigjja duhet të jetë e qartë:
Pa shtet nuk ka integrim.
Pa barazi nuk ka festë.
Pa doktrinë kombëtare nuk ka të ardhme.
Kosova ka nevojë për lidership me kurajë strategjike, që e thotë të vërtetën në çdo tryezë: se nuk do të ketë Europë të plotë pa Kosovën e plotë. Dhe nuk do të ketë drejtësi europiane me standarde të dyfishta.