Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë një pasqyrë të qartë dhe kritike mbi procesin zgjedhor të fundit, duke u ndalur veçanërisht te ndikimi i krimit të organizuar dhe roli i institucioneve si SPAK, Policia e Shtetit dhe SHISH.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Lala deklaroi se aktualisht janë 39 dosje penale që lidhen me hetime për krime zgjedhore, kryesisht për korrupsion zgjedhor dhe blerje vote. Ajo shprehu keqardhjen që, sipas saj, rezultati i zgjedhjeve nuk përfaqëson realisht vullnetin e shqiptarëve, duke përmendur anomalitë në qarqe si Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.
“Nuk është ky vullneti që kanë dhënë shqiptarët,” – tha Lala, duke theksuar se ndonëse nuk u panë në mënyrë të hapur, elementë të botës së krimit kanë qenë të pranishëm dhe aktivë gjatë fushatës dhe ditës së votimeve. Ajo përmendi rastin në Vorë, ku pati përplasje mes Flamur Nokës dhe përfaqësuesve të një grupi të njohur kriminal, si dhe incidentin në Kashar, ku filmoi një çantë me para që u përdor për blerje vote nga mbështetës të kandidatit të PS-së, Ornaldo Rakipi.
Sipas saj, presioni ndaj votuesve dhe strukturave të administratës ka qenë “nën sipërfaqe” dhe shumë më i sofistikuar se në zgjedhjet e kaluara, duke e bërë më të vështirë për institucionet zbardhjen e fakteve.
“Në Durrës, kandidati Arkend Balla mori më shumë vota se Kryeministri në 2021. Ky është një dyshim i fortë për krim zgjedhor,” – tha Lala, ndërsa shtoi se në Elbasan, një tjetër kandidate, Sara Milan, pa kontribut publik apo partiak, arriti të marrë mbi 20 mijë vota – një situatë që është aktualisht nën hetim nga SPAK.
Ajo theksoi se përpjekjet për blerje vote dhe përfshirja e elementëve të inkriminuar nuk janë vetëm problem ligjor, por një goditje e rëndë për përfaqësimin demokratik dhe moralin e qytetarëve.
Gazetarja nuk kurseu as kritikat ndaj përzgjedhjes së kandidatëve: “Jam e keqardhur për disa emra me integritet që mbetën jashtë Kuvendit, ndërsa hyjnë njerëz pa asnjë formim apo kontribut publik,” – u shpreh ajo, duke shtuar se kjo është një ndjesi personale si qytetare, ndërkohë që si gazetare është përpjekur të raportojë me profesionalizëm dhe paanshmëri.
E pyetur për punën e SPAK-ut, Lala tha se kishte pritshmëri më të larta, duke shtuar se deri tani nuk ka hetime konkrete që prekin Partinë Socialiste, edhe pse sipas saj, administrata shtetërore ka qenë e përfshirë gjerësisht në fushatë dhe janë përdorur asete publike në favor të saj.
“Ka ndikuar krimi në zgjedhje? Po. Por sot është më i zgjuar, më i organizuar dhe më i vështirë për t’u zbuluar,” – përfundoi Lala, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të çojnë deri në fund hetimet për 39 dosjet e hapura dhe të tregojnë të vërtetën që, sipas saj, qytetarët e meritojnë të dinë.
Ajo shtoi gjithashtu se ka marrë denoncime me prova nga qytetarë të ndryshëm, të cilët i ka orientuar drejt institucioneve përkatëse, por theksoi se nuk është vetëm detyra e opozitës të denoncojë, as e gazetarëve të marrin barrën e fajit për rezultatin e zgjedhjeve.