-sidi education-spot_img
17.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Macron shpreson në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

Kryesoret

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë “në javët e ardhshme”.

Ai këtë deklaratë e dha gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, pasi u pyet për kritikat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se kredibiliteti i Bashkimit Evropian po dëmtohet.

“Kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja ka legjitimitetin të kërkojë të ketë avancime konkrete në çështjet politike”, tha Macron, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për samitin njëditor të Komunitetit Politik Evropian.

Ai përmendi shqetësimet e BE-së për “vështirësi politike sociale” në Kosovë e Serbi dhe tha se këto qëndrime të BE-së janë të njohura dhe nuk janë diçka e re.

“Nuk është ide e mirë kur mundohemi të përçajmë linjat, apo tentojmë të vëmë në dyshim procesin”, shtoi Macron.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Një ditë më parë, Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, para vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, tha Osmani në Tiranë.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Po dje, Bashkimi Evropian tha se veprimet e ditëve të fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë.

Reagimi i bllokut evropian erdhi pak orë pasi Policia e Kosovës e mori në kontroll një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.
Aksioni i së premtes ishte pjesë e një sërë veprimesh të ndërmarra ditët e fundit, gjatë të cilave autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, të palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe të disa institucioneve të tjera që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Autoritetet zyrtare të Prishtinës i cilësojnë ato si struktura paralele dhe të paligjshme./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit