-sidi education-spot_img
16.4 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Varrezat e Kllogjerit nuk janë skenë për slogane partiake

Kryesoret

Koha për një hap tjetër: Muze për historinë e Çamërisë në Varrezat e Kllogjerit
Ideja për këtë shkrim lindi gjatë një vizite në Konispol dhe varrezat e Kllogjerit, ku shoqërova një grup me 20 gra nga Tirana që donin të nderonin kujtimin e viktimave të genocidit grek të vitit 1944. Teksa ndaleshim në varreza, hasëm një grup çiklistësh të huaj të cilët, si shumë të tjerë, ndalojnë aty pa e ditur se çfarë historie mbart ky vend. Kjo pamje — e kalimtarëve të hutuar mes varreve pa asnjë informacion — është një thirrje e qartë për veprim.
Varrezat e Kllogjerit, ku prehen mbi 2,900 shqiptarë të vrarë gjatë spastrimeve etnike në Çamëri, janë dëshmi e gjallë e një tragjedie të pandëshkuar. Ndërtimi i këtyre varrezave ishte një akt i rëndësishëm për kujtesën historike kombëtare. Ato përfaqësojnë jo vetëm një plagë historike, por edhe një mundësi për ndërgjegjësim shoqëror dhe kulturor. Në një kohë kur turizmi në Shqipëri po rritet me ritme të larta, është thelbësore që vizitorët, vendas apo të huaj, të kenë mundësinë të mësojnë historinë e këtij vendi përmes një qendre informimi të mirëfilltë. I rëndësishëm është fakti që Saranda dhe Butrinti vizitohen nga nxënës shkolle nga Shqipëria dhe Kosova dhe në mungesë të informacionit në tekstet shkollore, vizita në varrezat e Kllogjerit do të ishte investim i madh në kujtesën kombëtare.
Është koha për një hap tjetër: ngritja e një muzeu për historinë e Çamërisë në Kllogjer është tashmë një domosdoshmëri. Ky muze duhet të shërbejë si vend dokumentimi, edukimi dhe respekti – një qendër që ruan dhe përcjell të vërtetën për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Për realizimin e këtij projekti kërkohet angazhimi i Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Konispol. Është paradoksale që shteti shqiptar ka investuar mbi 700 mijë euro për ndërtimin e varrezave, por ende nuk u ka dhënë statusin “Varreza Monumentale”.
Nuk e kuptoj, shteti shqiptar ka turp nga investimi i vet?
Ironikisht, këtë status e gëzojnë sot varrezat e ushtarëve pushtues grekë në Këlcyrë. Ndërsa viktimat shqiptare të një krimi të njohur ndërkombëtarisht përjashtohen nga çdo nderim zyrtar. Deri më sot, asnjë qeveritar shqiptar nuk ka vendosur një tufë lule në nderim të tyre. Në këtë sfond të zymtë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, është i vetmi Kryetar Shteti që ka vizituar këto varreza – një gjest që meriton vlerësim dhe që duhet të pasohet nga angazhim konkret shtetëror.
Një tjetër çështje që nuk mund të lihet pa u përmendur është papërshtatshmëria
aktiviteteve politike dhe fushatave elektorale në këtë vend homazhi. Varrezat e Kllogjerit nuk janë skenë për slogane partiake. Ato janë vend homazhi, vend lutjeje, vend heshtjeje. Politika duhet të rikthehet në Qafë-Botë për të dhënë mesazhe për të gjallët, jo në varrezat ku prehen ata që janë larguar nga kjo botë prej 80 vitesh pa gjetur ende drejtësi.
Çështja çame nuk është vetëm e së kaluarës. Është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Dhe muzeu i Çamërisë në Kllogjer është një hap drejt përmbushjes së këtij borxhi historik.
Sildi Koqini, Konispol 2025

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit