Isuf Çelaj ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, duke shprehur falënderim për mbështetjen që i siguroi mandatin si deputet. Në një postim në rrjetet sociale, ai vlerëson besimin e qytetarëve, por shpreh shqetësimin e tij për mënyrën si u zhvillua procesi zgjedhor.
Sipas Çelajt, këto zgjedhje përfaqësojnë një nga momentet më të errëta të demokracisë pluraliste në vend, duke i cilësuar si ndër më të manipuluarat dhe të deformuarat në këto 35 vite. Ai shton se Partia Demokratike do të vijojë të mbrojë vlerat demokratike dhe votën e lirë, e cila nuk duhet të reduktohet në një proces formal të paracaktuar nga interesa politike, të cilat sipas tij kanë shkatërruar besimin qytetar.
“Të dashur qytetarë të Tropojës, Hasit dhe Kukësit!
Me shumë mirënjohje dhe respekt, ju falenderoj për çdo votë tuajën të dhënë për koalicionin ASHM dhe për mua si kanditat për deputet. Faleminderit që besuat tek unë si individ dhe tek programi i Partisë Demokratike dhe i Prof.Dr. Sali Berishës!
Falenderim i veçantë për strukturat e Partisë Demokratike të Tropojës, Hasit dhe Kukësit për punën e tyre të palodhur, si dhe kryetarëve të shtabeve elektorale zotit Demaj në Kukës, zotit Maçi në Has e zotit Hoxha në Tropojë.
Faleminderit për punën dhe qytetarinë e treguar nga të dy kandidatët sfidantë Elvirës në Has dhe Shkëlqimit në Kukës nën drejtimin e Drejtuesit Politik zotit Flamur Hoxha.
Faleminderit familjes time, miqëve, kolegëve dhe ish kolegëve për mbështetjen e sinqertë dhe maksimale në këtë fushatë zgjedhore.
Faleminderit komisionerve, numëruesëve dhe vëzhguesve për punën e tyre të palodhur, për të garantuar votën e demokratëve në këtë proces zgjedhor.
Në kompleksitetin e tyre këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të barabarta. Në gjithë historinë 35 vjeçare të pas viteve ’90, këto ishin zgjedhjet më të dhunuara dhe të shpërfytyruara. Ne u përballëm në kushtet e një pabarazie ekstreme me makinerinë e narko-shtetit të vetëm në Europë. Përdorimi i buxhetit të shtetit, strukturave kriminale, intimidimi i qytetarëve dhe manipulime të tjera, ishin të denja vetëm për rregjimet e Maduros dhe Bashar Assad.
Ne si Parti Demokratike, me Prof. Dr. Sali Berishën, do të jemi në mbrojtje të dinjitetit dhe votës së lirë të shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të jenë më numra të parafiksuar mandatesh të zhgarravitur në një mbulesë tavoline njëpërdorimshe, rrjedhojë e një batërdie elektorale.
Shqiptarët do jenë përsëri të lirë për të zgjedhur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre dinjitoz.
Edhe një herë, Ju faleminderit prej zemre për besimin e dhënë!”,-shkruan Çelaj./CNA