Gjykata e Posaçme do të mbajë sot seancën paraprake për dosjen e njohur si “Partizani”, ku do të shqyrtohet nëse do të hapet gjykimi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Seanca është parashikuar të zhvillohet në orën 11:30 dhe do të drejtohet nga gjyqtarja Floreja Davidhi. Përveç Berishës dhe Malltezit, në këtë çështje janë përfshirë edhe disa persona të tjerë: Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Mbrojtja e Berishës ka kontestuar disa aspekte të procedurës, duke kërkuar më herët pavlefshmërinë e disa provave dhe duke vënë në dyshim integritetin e gjyqtares paraprake Irena Gjoka, për të cilën pretendohet një dënim i mëparshëm jashtë vendit. Kjo është përdorur si argument për të hedhur poshtë vendimmarrjet e saj, nëse dokumenti rezulton i vërtetë.
Megjithatë, më 13 maj, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Floreja Davidhi u refuzua nga GJKKO, duke konfirmuar që ajo do të vijojë të shqyrtojë çështjen.
Në fund të kësaj seance, pritet të merret vendimi nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë ose jo.