Lajm i trishtë nga burgu i Fushë Krujë. Qani Muça i cili ndodhej pas hekurave pas tentativës për të vrarë Inspektorin e Mbrojtjes së Territorit pas shembjes së shtëpisë, i ka dhënë fund jetës në burg.
Mëngjesin e sotëm Qani Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.
Qani Muça 58 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë. Ai ishte arrestuar më datë 12 gusht 2022 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në gjykatë, Muça ka pretenduar se është provokuar nga inspektori i IMT. Sipas tij, inspektori i ka thënë: “Nuk deshe të merrje hyrje në pallat, tani rri mes katër rrugëve”.
Nga ana tjetër, Muça është shprehur se nuk e ka pasur ai armën e krimit, por punonjësi i IMT. Njëkohësisht asokohe në gjyq ai ka ngritur pretendimin, se punonjësit e IMT i kanë vjedhur gati 80 mijë euro, qe i ka pasur të fshehura në godinë.