Tensionet mes Britanisë së Madhe dhe Iranit mund të thellohen pasi këto dy shtete i thirrën në takime protestuese diplomatët e njëri-tjetrit të hënën.
Ata i thirrën për shkak të një aktakuze ndaj tre iranianëve nën dyshimin se kishin ndihmuar një agjenci të huaj spiuanzhi për të kryer veprimtari në tokën britanike.
Mediat iraniane raportuan të hënën se i ngarkuari me punë i Britanisë së Madhe në Teheran u thirr për të dhënë shpjegime mbi arrestimet dhe “akuzat e pabaza” ndaj republikës islamike.
Disa orë më vonë, Britania njoftoi se e thirri ambasadorin iranian në Londër në takim “pas aktakuzës ndaj tre shtetasve iranianë nën Aktin për Sigurinë Kombëtare”.