Në përvjetorin e 100-të të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e këtij institucioni në ndihmën për përmirësimin e transparencës dhe mirëqeverisjes në vend. Ai vlerësoi përparimin e arritur nga KLSH dhe theksoi nevojën për të ruajtur pavarësinë dhe efektivitetin e këtij institucioni në vijim.
“Legjislacioni i BE kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE”, tha Gonzato.
Ambasadori përgëzoi KLSH për përparimin e bërë ndër vite dhe aftësinë për të zbatuar standardet ndërkombëtare të auditimit, ndërsa vuri në dukje se “situata është përmirësuar, por ka ende hapësirë për përmirësime.”
Sipas tij, angazhimi i KLSH për transparencë, si dhe roli i saj në parandalimin e mashtrimit, identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe përmirësimin e kontrollit të brendshëm, është thelbësor për ndërtimin e një kulture llogaridhënieje në administratën publike.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për ndryshimin e ligjeve apo për dhënien e rekomandimeve. Sfida kryesore është ndryshimi i mendësisë,” u shpreh Ambasadori, duke theksuar se “një KLSH e pavarur, e besueshme dhe efektive është një gur themeli për mirëqeverisjen dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.