Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Ermir Dedjes mbrëmjen e djeshme. 29-vjeçari u qëllua me disa plumba. Ai u dërgua në spitalin e Durrësit ku iu konstatuan dy plagë, në gjoks dhe në kurriz. Plumbi që mori në gjoks rezultoi fatal, pasi përshkoi aortën, duke i shkaktuar humbjen e jetës.
Hetimet për vrasjen e 29-vjeçarit vijojnë, ndërsa pista kryesore që po ndjek policia lidhet me larjen e hesapeve mes personave me të kaluar kriminale, ndërsa nuk përjashtohen dhe pista të tjera. Dedja ishte një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë në Durrës, me një të kaluar të ngarkuar penale.
Në vitin 2023 u dënua me 7 muaj burg për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, ndërsa më herët, në 2021, për largim nga vendi i aksidentit. Në vitin 2017 u dënua me 8 muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje thike.
Dedja u shpall i pafajshëm për akuzën e përkrahjes së autorit të një plagosjeje në Shijak. Emri i tij përmendet për herë të parë në vitin 2015, kur, në moshën 19-vjeçare, u ndalua për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike së bashku me dy persona nga Hasi, të cilët tentuan ta trafikonin drogën, e blerë tek Dedja, drejt Kosovës.