Pas thirrjes së Edi Ramës, kandidatët socialistë për deputetë, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë tërhequr kërkesën e tyre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të parë pamjet filmike të numërimit të votës preferenciale.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, tha se ankimimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëhen vetëm nga partitë politike, duke komentuar kështu kërkesat e depozituara nga kandidatë të ndryshëm për deputetë, të cilët pasi nuk fituan një mandat, kërkuan pamjet filmike.
“Secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor, por është KQZ që do të bëjë transparencë të këtij procesi. Të gjitha palët që kanë pretendime, ka një mënyrë sesi bëhen këto. Kodi zgjedhor parashikon që partitë politike mund të bëjnë ankesë. Transparencën, më mirë se sa e ka bërë KQZ, nuk e bën dot askush”, tha Balla.