Një operacion i përbashkët ndërkombëtar kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave, i realizuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), ka çuar në sekuestrimin e pasurive dhe ekzekutimin e 52 masave sigurimi. Ky operacion i gjerë, i mbështetur nga Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ka goditur tri grupe kriminale që operonin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Përkatësisht, janë ekzekutuar 29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarët e grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri, 1 urdhër ndalimi nga Prokuroria e Posaçme dhe 22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali. Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë të përfshirë në këto grupe kriminale.
Hetimet, të cilat u zhvilluan gjatë periudhës 2020-2025, kanë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet kryesore të hetimit përfshinte transportin e 255 kilogramëve heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Itali përmes korrierëve ndërkombëtarë.
Përveç sasisë të madhe të lëndëve narkotike të sekuestruara, autoritetet kanë arritur të identifikojnë dhe të sekuestrojnë pasuri me vlerë të konsiderueshme, si pasojë e aktivitetit kriminal. Në Shqipëri janë sekuestruar dy kompani ndërtimi, katër shoqëri tregtare dhe restorante, një agjenci pasurish të paluajtshme, një TV kabllor, automjete luksoze dhe para cash. Po ashtu, janë sekuestruar gjithashtu në Itali 9 apartamente, 4 kompani dhe 7 llogari bankare.
Gjatë hetimeve janë përdorur metoda të avancuara hetimore, si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video dhe vëzhgime fizike, si dhe analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC. Autoritetet zbuluan gjithashtu se pagesat për lëndët narkotike kryheshin përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve dhe se vlera totale e transaksioneve të dokumentuara të drogës ka arritur në 4.5 milionë euro.
Për më tepër, hetimet kanë zbuluar një transferim të 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kilogramësh kokaine që do të nisej nga Guayaquil, Ekuador.
Operacioni është ende në zhvillim e sipër dhe autoritetet janë duke vazhduar hetimet për të identifikuar dhe ndaluar individë të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal të gjerë.