Pas fitores historike të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama ka falënderuar kandidatët dhe të gjithë strukturat e partisë për angazhimin dhe punën e palodhur që çoi në këtë rezultat. Ai theksoi rëndësinë e përpjekjeve të bëra nga të gjithë, duke e cilësuar këtë fitore si një moment të veçantë në historinë politike të Shqipërisë.
Fjalët e plotë të Edi Ramës:
“Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor! Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme.”
Në mesazhin e tij, Rama gjithashtu falënderoi kandidatët që nuk arritën të siguronin një vend në Kuvend, duke theksuar se kontributi i tyre është po aq i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ai e quajti të nevojshëm angazhimin e gjithsecilit për sfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori mbështetjen e më shumë se 700 mijë shqiptarëve, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, duke siguruar 83 mandate në Kuvendin e ri. Ky rezultat i mundëson Partisë Socialiste të miratojë ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, si dhe ndryshime kushtetuese, pa pasur nevojë për negociata me opozitën, e cila siguroi më pak se 50 mandate.
/5pyetjet.al