Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u përball me sulme të pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës, në të cilat u plagosën të paktën 15 njerëz, thanë zyrtarët ukrainas.
Shpërthime dhe të shtëna me armë u dëgjuan në të gjithë Kievin, duke i detyruar shumë njerëz të kërkojnë strehim në stacionet e metrosë.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi Rusia dhe Ukraina filluan një këmbim të madh të të burgosurve.
Këmbimi, që përfshin qindra ushtarë dhe civilë – ishte i pari nga disa që do të bëhen sipas një marrëveshjeje për këmbim të ndërsjellë që ishte arritur në një takim në Stamboll javën e kaluar.
Rusia e sulmoi Ukrainën gjatë natës me 14 raketa balistike dhe 250 dronë të llojit Shahed, sipas zyrtarëve.
Zyrtarët thanë se forcat ukrainase i rrëzuan 6 raketa dhe 245 dronë gjatë këtij sulmi.
Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit theksoi se ky ishte një nga sulmet më të mëdha të kombinuara me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas.
“Një natë e vështirë për të gjithë ne”, thuhej në komunikatën e administratës.