Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, njoftoi se vendi po afrohet drejt vendosjes së një dite pune prej shtatë orësh. Kjo reformë synon të balancojë më mirë nevojat e punëtorëve dhe punëdhënësve, përmes një dialogu të hapur me sindikatat dhe përfaqësuesit e biznesit.
“Pas diskutimeve të shumta dhe analizave të hollësishme, jemi pranë gjetjes së një modeli që do të pranohet nga të gjitha palët,” tha Spajiç.
Ministrja e Punës dhe Mbrojtjes Sociale, Naida Nisiç, pritet të nisë javën e ardhshme raundin përfundimtar të negociatave me sindikatat dhe përfaqësuesit e sektorit privat për të përcaktuar detajet përfundimtare të kësaj nisme.
Qëllimi kryesor i reformës është të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, duke u dhënë atyre më shumë kohë për familjen dhe pushim, ndërsa synohet edhe rritja e efikasitetit në punë.
Në përputhje me premtimet e dhëna në fushatën elektorale, qeveria planifikon të aplikojë këtë ditë pune të shkurtuar si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, duke synuar një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës në vend.