Rajoni i Rivierës Franceze është goditur nga një tjetër ndërprerje e energjisë elektrike brenda dy ditësh, pasi një zjarr shpërtheu gjatë natës në një nënstacion elektrik në Nicë. Sipas autoriteteve, ngjarja dyshohet se është pasojë e një akti të qëllimshëm.
Zjarri ra në zonën e Moulins, një lagje në perëndim të Nicës që është prej kohësh nën vëzhgim për aktivitet të lartë të trafikimit të drogës. Zyra e prokurorit konfirmoi se po hetohet për një akt keqdashës si shkaktar i incidentit.
Si pasojë e zjarrit, rreth 45,000 familje mbetën pa energji elektrike për disa orë, ndërsa u preken edhe objekte strategjike si aeroporti i Nicës, një ndër më të rëndësishmit në Francë. Kompania e menaxhimit të rrjetit Enedis njoftoi se furnizimi u rikthye pjesërisht pas disa orësh punë intensive.
Kjo është ndërprerja e dytë e madhe e energjisë në zonë për pak ditë, pas asaj që goditi qytetin e Kanës dhe rrethinat e tij. Megjithatë, autoritetet kanë deklaruar se nuk ka prova që të dyja incidentet të jenë të lidhura mes tyre.