-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bashkim Zeneli: Leksioni i Kancelarit Merz në Tiranë

Kryesoret

Ditët e fundit Tirana u bë mikpritëse e takimit të Komunitetit Politik Evropian, i përbërë nga 47 vende dhe i themeluar në Pragë, më 6 tetor 2022. Një forum i pavarur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, por sigurisht, jo edhe “jashtë” tyre.

Për Shqipërinë ishte një mbështetje për rrugën e hershme drejt Bashkimit Evropian, tashmë edhe me 24 kapituj të hapur, nga 35 që do të negociohen deri në anëtarësimin e plotë. Por pa asnjë dyshim për të vazhduar, me këmbë në tokë e pa vetëkënaqësi, rrugën e reformave dhe plotësimin e standardeve. Shqipërinë në Europë e do çdo shqiptar, por pa eufori. Edhe për vetë Forumin ishte një ngjarje domethënëse që u mblodh në Shqipëri, në një vend të Ballkanit Perëndimor, një rajon që aspiron integrimin në BE. U fol për tema të ndryshme që shqetësojnë sot realisht BEnë.

U fol për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nevojës për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës. Vetë Evropa e Bashkuar duket se “u shkund” dhe nisi të reflektojë për shumë probleme, madje ekzistenciale”. U fol për bashkëpunimin politik, në atë të sigurisë, të energjisë, të investimeve, të infrastrukturës, të standardeve për anëtarësim. Në themel të qëndrimeve të shprehura ishte nevoja për forcimin e unitetit në Evropë, për forcimin e bashkëpunimit dhe për një rol me përgjegjësi shumë më të mëdha.

Është shumë e qartë se po jetojmë në kohë të pasigurt. Bota po kërcënohet nga shumë rreziqe dhe vetë Evropa, kontinenti ynë, nuk është aspak në gjendjen e saj më të mirë. Evropa ndodhet prej kohësh para shumë sfidave dhe nevoja për reflektim e përgjegjësi. Agresioni rus kundër Ukrainës na tregoi më së miri se sa e brishtë është paqja dhe se sa shumë vlejnë paqja dhe liria.

Marrëdhëniet transatlantike janë dobësuar vitet e fundit dhe duket se ka një hutim të pakuptimtë edhe në Bruksel, por edhe në mjaft kryeqytete të Perëndimit për të ardhmen e tyre. Ka një “pasiguri kolektive” me shumë vendimmarrje, sidomos nga shtete me tendenca nacionaliste.

Edhe vetë procesi i zgjerimit të BE, në dekadën e fundit, ka ecur me inkonseguenca ndaj Ballkanit Perëndimor. Që nga Samiti i famshëm i Selanikut në qershor të vitit 2003, Komisioni Evropian ka manifestuar qëndrime të paqarta, të zvarritura, të lodhura dhe na është dukur gjë e madhe se na thoshin se “vendi juaj është në BE, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë”. Sigurisht, edhe në rajon, kemi përgjegjësitë tona në plotësimin e standardeve. Dhe kjo është më kryesorja.

Në Samitin e BE me 17 maj 2018 në Sofje, u tha se “ne riafirmojmë besimin për perspektivën evropiane të Rajonit”, por më pas, Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, tha se “për disa vite nuk do të ketë pranime të reja, sepse do të zgjidhim problemet që kemi vetë”. Më vonë, pas tij, edhe Presidenti Macron tha se “pa reformuar BE-në, nuk do të ketë pranime…”. Për të mos thënë si fliste sot një Komisioner e si fliste nesër tjetri.

Tani, pas agresionit rus kundër Ukrainës, duket se ka një reflektim e një përgjegjësi krejt tjetër, të paktën më të qartë. Ndaj, dëgjuam me vëmendje që në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë u fol me theks të veçantë për nevojën e forcimit të bashkëpunimit në Evropë. Evropa e baballarëve themelues, Jean Monet, Robert Schuman, Alcide de Gasperi, Paul van Zeeland, Konrad Adenauer e deri më vonë, tek Helmut Kohl, është pa alternativë. Të gjithëve na duhet Evropa, jo vetëm në evropianëve.

Europianisti i madh, De Gasperi, Kryeministri i Italisë në vitet 1945-1953, që në vitin 1950, në Senatin Italian, do të përcaktonte nevojën për një bashkim, për një unitet të Evropës, për partneritet me SHBA, si fillimin e një miti të madh…

Kancelari Kohl do të thoshte se, “Evropa është më shumë se një kontinent, ajo është e ardhmja jonë, është fati ynë”. “Projekti evropian është pasioni dhe detyra e jonë e madhe, për demokracinë, për të drejtat e njeriut, për shtetin e së drejtës, për stabilitetin social dhe mirëqenien”.

Në këtë Samit, me të drejtë, u fol që në kushtet e sotme, evropianët më shumë se kurrë duhet të marrin në dorë realisht, me të vërtetë, fatin e tyre, edhe për forcimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, edhe për forcimin e ekonomisë, edhe për forcimin e bashkëpunimit politik, ushtarak, diplomatik, në sfidat që kanë përpara.

U fol nga zonja Von der Leyen edhe se si duhet të tregohet kujdes për sigurimin e mirëqenies së 700 milionë evropianëve. Edhe Presidenti Macron, e ndonjë tjetër, këtë kërkuan: Për të qenë bashkë në përballimin e sfidave. Dhe kjo është plotësisht e drejtë dhe për këtë nuk duhet reshtur asnjëherë së punuari me përgjegjësi.

Por, nga këto fjalime më bëri përshtypje edhe një lloj mungese apo paqartësie politike, si krejt pa dashje apo “pa kuptuar” të një Evrope si “në vete” apo “për vete”, si një “qark i mbyllur” në kontinentin tonë gjeografik e politik.

Pse? Sepse Evropa në Tiranë, në këtë Samit, nuk foli për nevojën e bashkëpunimit strategjik me SHBA-të, ndonëse askush nuk e vë në dyshim rëndësinë e kësaj marrëdhënieje. Vetëm Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se, “shpresoj në një bashkëpunim të madh evropian, por shpresoj edhe në një bashkëpunim të madh me SHBA, shpresoj ta fitojmë atë”.

Ai nuk u mbyll në “guaskën evropiane”. Sfidat e sotme janë të mëdha, sot e për të ardhmen. Askush veçmas e askush në një Evropë të Bashkuar, sado të fuqizohet, nuk mund t’i përballojë ato jashtë partneritetit strategjik me SHBA.

Duket se në Evropë, shumë liderë perëndimorë, janë si të hutuar, të nxituar në deklarata, shpesh në bardhezi, në reaksion të ndonjë qëndrimi të Presidentit Trump e administratës së tij, për çështje të ndryshme. Sikur po lihet lirshëm prishja e urave. Jo luftë të distancë e me deklarata! Më shumë se kurrë BE duhet të rindezë një kapitull të ri të partneritetit me SHBA, në marrëdhëniet BE-SHBA. Të shohim më larg se përtej ndonjë deklarate, të shohim përpara. Vetëm bashkëpunimi strategjik me SHBA, edhe kur për çështje të ndryshme nuk ka dakordësi, i shërben mbrojtjes së paqes dhe lirisë. Pa SHBA, sot në botë nuk arrihet asgjë, ashtu si në Evropë, me Gjermaninë arrihet shumëçka.

Evropianët mund të luftojnë për të ardhmen dhe ta fuqizojnë atë… vetëm në partneritet me SHBA-të. Ky ka qenë dhe mbetet një leksion i madh i historisë. Dhe sa më shumë kalojnë vitet që nga Lufta e Dytë Botërore, me pasojat e saj të tmerrshme, por edhe me pasojat e luftës në Ukrainë, aq me rëndësishme dhe e domosdoshme për Evropën e Bashkuar bëhet nevoja e forcimit të partneritetit strategjik e BE me SHBA. Dhe Kancelari Frierich Merz pikërisht këtë tha. Ai ndoshta më shumë se kushdo në Evropë e di mirë rëndësinë e këtij partneriteti. E di që kur trupat amerikane me komandantin legjendar Eisenhower zbarkuan në Evropë dhe çliruan Gjermaninë nga nazizmi, së bashku me sovjetikët, britanikët e francezët; e di shumë mirë edhe se Kancelari i parë i Gjermanisë pas luftës, Adenauer, që në programin e qeverisë në vitin 1949 përcaktoi SHBA-të si aleatë strategjikë; e di mirë edhe kur Presidenti Ruswelt nuk i pranoi ministrit të tij, Morgenthan, planin që Gjermania të zhvillohej vetëm si një vend bujqësor, pa asnjë industri; e di mirë se si Presidenti Truman, me urën ajrore, nuk lejoi të vuante nga uria berlinezët; e di mirë atë që bënë SHBA-të me Planin Marshall. Por e di më mirë se kushdo se çfarë bëri Presidenti Bush për ribashkimin e Gjermanisë së ndarë, për mbi 4 dekada.

Kancelari Merz e di mirë edhe se si duhet forcuar Evropa, në të gjitha pikëpamjet, por e di shumë mirë edhe se Evropa nuk mund të bëjë pa SHBA, po ashtu edhe SHBA pa Evropën. Prandaj ishte i vetmi në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që foli ndryshe, duke dhënë edhe një leksion të qartë, vetëm me dy fjali!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit