Një aventurë detare në brigjet e Sazanit mund të kishte përfunduar në tragjedi, por ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare të Vlorës bëri që situata të merrte një kthesë të sigurt.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:20, një velierë që ndodhej rreth 3 milje nga Ishulli i Sazanit hasi vështirësi në lundrim për shkak të motit të përkeqësuar dhe dallgëve të fuqishme që kishin përfshirë zonën. Errësira dhe era e fortë rrezikonin jetën e atyre që ndodheshin në bord.
Pas marrjes së sinjalit të ndihmës, u vu në lëvizje një njësi e specializuar e Stacionit të Mjeteve Lundruese në Triport, e cila lundroi drejt koordinatave të raportuara.
Rreth orës 20:20, veliera u lokalizua dhe u shoqërua me kujdes në brendësi të Gjirit të Vlorës, duke u ankoruar në zonën e njohur si “Bova”, pranë Plazhit të Vjetër. Fatmirësisht, personat që ndodheshin në bord ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Ky operacion konfirmon dhe një herë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave kufitare detare, në mbrojtje të jetës në det dhe garantimin e sigurisë në hapësirat ujore shqiptare.