Shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk janë pranuar në konkursin e fundit të policisë. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shqiptarët nuk po pranohen as në institucione tjera.
Zyrtarë lokalë po ngerë zërin pasi duket si një përpjekje për t’i dëbuar shqiptarët nga toka e tyre. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi u shpreh se shqiptarët po deskriminohen çdo ditë, pasi asnjë polic shqiptar nuk është pranuar në konkursin e fundit nga ministrai e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Po diskriminohemi çdo ditë. E kemi shifrën e fundit ku asnjë polic shqiptar nuk është pranuar në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Dhe ky diskriminim është pasojë se çdo ditë po diskriminohemi. Nga 43 policë të pranuar, asnjë shqiptar në Bujanoc e Preshevë nuk është punësuar dhe pastaj kemi në 22 të punësuar në Medvegjë, asnjë shqiptar nuk është i punësuar. Edhe pse nga numri që e kemi ka qenë 11 persona të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Qasja e ministrit Sveçla është për t’u përshëndetur, sepse duhet të përdoret reciprociteti”, thekson Enkel Rexhepi.
Ndërsa nënkryetari i Preshevës Ragmi Mustafa tha se kjo mënyrë është që shqiptarët të ndihen të pasigurtë dhe të dëbohen nga ato toka.
“T’i bëjë shqiptarët e pasigurt në autoktoninë e tyre, që t’i dëbojë. Njëlloj është programi dhe elaborati edhe sot aktiv që ka qenë aktiv gjatë viteve të 90-ta. Absolutisht në theks të veçantë ka bërë gjithmonë për 100 vite të tëra presione dhe padrejtësi ndaj shqiptarëve edhe në Kosovë edhe në Maqedoni edhe në Luginë të Preshevës. Tani ka ndërruar metoda, nuk përdoret tyta automatikësh, nuk përdor autoblinda, nuk përdor tanke, po përdor mekanizma juridik absolutisht të pambështetur edhe vet me kushtetutën e tyre. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në këtë sens ata i përdorin pamëshirshëm në mënyrë që të dëbojë shqiptarët nga këtu. Dhe këto toka të mbesin të boshatisura”, tha Mustafa.