Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat foli për mbylljen e hetimeve ndaj presidentit Ilir Meta.
Blushi tha se kjo konfirmon farsën politike të ngritur nga pushteti për ta goditur atë dhe opozitën. Ai tha se Partia e Lirisë është e bindur ndaj pafajësisë së Metës dhe procesi gjyqësor do të provojë se ka vetëm anipulime ndaj Metës.
“Partia e Lirisë e bindur në pafajësinë e plotë të Presidentit Meta ndaj akuzave farsë të shkruara nga Edi Rama dhe të firmosura nga prokurori Altin Dumani, do të nisë çmontimin e tyre publik në mënyrë periodike.
Procesi gjyqësor do të provojë se jo vetëm nuk ka patur asnjë fakt penal apo shkelje ligji nga Presidenti Meta por se ka patur vetëm manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët që kanë hartuar fletërrufenë sorosiste kundër tij bazuar mbi shkrime gazetash dhe dëshmitarë shkelës të provuar të ligjit dhe gënjeshtarë me pagesë nga Narkoregjimi.
Kjo do të jetë një betejë e fituar e Presidentit Meta dhe e Partisë së Lirisë dhe të gjitha mediat serioze do të shokohen me instrumentalizimin mizor që Edi Rama i ka bërë SPAK-ut në këtë rast, që nuk është i vetmi.”, tha Blushi.









