Gjykata e Posaçme ka nisur dëgjimin e dëshmisë së Erion Alibejt, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë në çështjen e njohur si “Plumbi i Artë”. Alibej është i akuzuar për disa vrasje të bujshme, përfshirë ato të Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë, vëllezërve Haxhia, Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt.
Në seancë, prokurorët e SPAK kërkuan që ai të shpjegojë lidhjet me bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, Nuredin Dumanin dhe Skerdi Tasin.
Alibej tregoi se Nuredin Dumanin e kishte njohur në fillim të vitit 2020, menjëherë pasi ishte liruar nga paraburgimi në Elbasan. Sipas tij, kontaktin ia kishte bërë Arjan Spahiu, i njohur edhe si “Fat Katnari”.
“Pasi dola, fola me Arjanin, ai kishte një kontakt. E njihja si Fat Katnari. Unë isha përdorues i EncroChat dhe SkyECC. Ishte një kohë e vështirë për familjen, për shkak të atentateve që kishim pësuar,” tha Alibej.
Ai shtoi se kishte shprehur gatishmërinë për të paguar 100 mijë euro për vrasjen e Talo Celës dhe 200 mijë për ta kapur të gjallë.
“Takimi me Dumanin u bë në pallatin ku banoja, dy kate më poshtë. E solli Arjani me një C-Class të zi. Takimi zgjati 2 orë e 48 minuta, dhe gjithë biseda është regjistruar. Dija gjithçka për të prova, foto, adresa,” tha ai në gjykatë.
Seanca pritet të vijojë me dëshmi të tjera që mund të zbardhin më tej përfshirjen e tij dhe të tjerëve në atentatet e bujshme të viteve të fundit.