Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, ka komentuar situatën e krijuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), pas depozitimit të ankimimeve nga PD lidhur me votat e diasporës në zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë për ‘Syri Tv’, Nuri theksoi mungesën e provave nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat sipas tij janë të domosdoshme për të vërtetuar saktësinë e votave nga jashtë vendit.
Ai shpjegoi se PD ka kërkuar vazhdimisht të dhënat e plota për votat e diasporës dhe ka kërkuar shtyrjen e seancave, pasi nuk i janë vënë në dispozicion provat e kërkuara. Franc Nuri theksoi se ka një tendencë për zvarritje dhe mungesë transparence nga ana e KQZ, ndërkohë që PD po përgatitet për të përdorur të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtën e votuesve dhe për të dëshmuar çdo shkelje të mundshme.
“Ne nuk kemi ende prova nga KQZ, të cilat i kemi kërkuar të na vihen në dispozicion për të gjitha të dhënat e diasporës për Shqipërinë. KQZ dhe DHL duhet të vërtetojnë që çdo votë e qytetarit të diasporës të ketë shkuar në adresë kundrejt nënshkrimit.
Kërkuam shtyrjen e seancës në KQZ dhe na u pranua, pasi nuk na ishte vënë në dispozicion nga ana e KQZ provat që ne kërkuam. Ka pasur përpjekje për ta zhvlerësuar KAS, por ne arritëm ta bindim për shtyrjen e afatit. S’kemi ende prova nga ana e KQZ. Kemi kërkuar vënien në dispozicion të të dhënave të diasporës për Shqipërinë, përfshirë Kukësin.
KQZ dhe DHL duhet ta vërtetojnë që çdo votë e qytetarit të diasporës të ketë shkuar në adresë kundrejt nënshkrimit. E kemi kërkuar për të gjithë diasporën. Por KQZ ka dhënë për Greqinë në fillim, ne kemi kërkuar për diasporën. I ballafaqova me të pavërtetat në seancë nga ana e KQZ. Edhe në diskutimet me Celibashin, ia bëra të qartë se duhet të kemi të dhënat sa më parë, pa nisur ankimin. Ne kemi të drejtë të njihemi me provat.
KAS i ka dhënë detyrë KQZ që t’i vërë në dispozicion provat sa më parë. KQZ i ka dërguar një letër DHL më 28 maj dhe i thotë t’i sjellë shpejt, ndërsa ne e kemi bërë publike javë më parë. Ka tendencë jo vetëm për zvarritje, por edhe për mostransparencë nga ana e KQZ. Nuk duan të na japin këto të dhëna. Është një problematikë shumë e madhe. I kemi marrë masa nga PD që këto të dhëna t’i kërkojmë në kohën e duhur. I kemi paraprirë çdo gjëje, ndërsa ka zvarritje.
Kemi kërkuar të dhëna për çdo QV. Procesverbalet që në fillim nuk na janë vënë në dispozicion. I kërkuam dhe në format elektronik. Na janë përcjellë sot në rrugë zyrtare dhe PD po i analizon. Kemi bindjen se nga të dhënat elektronike do të arrijmë të demonstrojmë farsën elektorale dhe përmasat e saj. Me shifra. Kryqëzimi dhe konsolidimi i të dhënave, të gjitha të dhënat që kemi, denoncimet nga degët, mediat. Të gjithë këto do t’i përdorim në funksion të ankimimeve.
Këqyrja e kamerave do të shërbejë që PD t’i përdorë në procesin ankimor në KAS apo dhe në Kolegjin Zgjedhor, nëse do kemi rast ta ankimojmë edhe aty.
Kemi kërkuar herë pas here që të dhënat të na serviren edhe nga organet e tjera ligjzbatuese, si prokuroria. Për Kukësin kishim dijeni për 2-3 kallëzime, por prokuroria na solli 5-6. Më pas na thanë që ta sjellim ne dhe jo institucionet e tjera,” – tha Nuri.